L I G J
Nr.7905, datë 21.3.1995
KODI I PROÇEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (i azhornuar).
SEKSIONI VI
EKSPERTIMI
Neni 178
Objekti i ekspertimit
- Ekspertimi lejohet kur është i nevojshëm zhvillimi i kërkimeve ose marrja
e të dhënave ose e vlerësimeve që kërkojnë njohuri të posaçme teknike,
shkencore ose kulturore.
- Nuk lejohen ekspertimet për të përcaktuar profesionizmin në veprën penale,
prirjet kriminale, karakterin dhe personalitetin e të pandehurit dhe në
përgjithësi cilësitë psikike që nuk varen nga shkaqet patologjike.
Neni 179
Caktimi i ekspertit
- Caktimi i ekspertit bëhet duke e zgjedhur atë ndërmjet personave që janë
regjistruar në librat e caktuar për këtë qëllim ose ndërmjet atyre që kanë
njohuri të posaçme në degën përkatëse. Kur ekspertimi shpallet i pavlefshëm,
organi procedues merr masa, kur është e mundshme, që detyra e re t’i besohet një
eksperti tjetër.
- Vendimi i organit procedues për caktimin e ekspertit i njoftohet të
pandehurit ose mbrojtësit të tij, duke i bërë të ditur se ka të drejtë të
kërkojë përjashtimin e ekspertit, të propozojë ekspertë të tjerë, të marrë
pjesë vetë në ekspertim, kur është e mundur, dhe të parashtrojë pyetje për
ekspertin.
- Kur kërkimet dhe vlerësimet paraqiten shumë komplekse ose kërkojnë njohuri
të ndryshme në disa degë, organi procedues ua ngarkon kryerjen e ekspertimit
disa ekspertëve.
- Eksperti është i detyruar të kryejë detyrën e tij, me përjashtim të rasteve
kur ekziston një nga shkaqet që e përjashtojnë atë nga qenia ekspert.
Neni 180
Papajtueshmëria me detyrën e ekspertit
- Nuk mund të kryejë detyrën e ekspertit:
a- i mituri, ai që ka ndalim ligjor ose i është hequr zotësia juridike për të
vepruar ose vuan nga një sëmundje mendore;
b- ai që është pezulluar, qoftë edhe përkohësisht, nga detyrat publike ose nga
ushtrimi i një profesioni;
c- ai, ndaj të cilit janë marrë masa sigurimi personal;
ç- ai që nuk mund të pyetet dëshmitar apo të merret përkthyes ose që ka të
drejtë të mos bëjë dëshmi ose përkthim.
Neni 181
Përjashtimi i ekspertit
- Palët mund të kërkojnë përjashtimin e ekspertit në rastet e parashikuara
nga ky Kod për përjashtimin e gjyqtarit.
- Kur ekziston një shkak përjashtimi, eksperti është i detyruar ta deklarojë.
- Deklarimi i shkakut të përjashtimit nga vetë eksperti ose kërkimi i
përjashtimit nga palët mund të paraqiten derisa të mos jetë bërë caktimi i
detyrës dhe, kur shkaqet kanë lindur aty për aty ose janë njohur më pas, para
se eksperti të ketë dhënë mendimin e tij.
- Mbi deklarimin e ekspertit për përjashtim ose të kërkesës për përjashtimin
e tij vendos, me urdhër, organi procedues që ka caktuar ekspertimin.
Neni 182
Disponimet e organit procedues
- Organi procedues disponon ekspertimin me vendim të motivuar, i cili përmban
caktimin e ekspertit, paraqitjen e përmbledhur të çështjes, tregimin e ditës,
të orës dhe të vendit të caktuar për paeaqitjen e ekspertit.
- Organi procedues urdhëron thirrjen e ekspertit dhe merr masat e nevojshme
për paraqitjen e personave që i nënshtrohen ekspertimit.
Neni 183
Caktimi i detyrës
- Organi procedues, pasi sigurohet për identitetin e ekspertit, e pyet nëse
ka shkaqe përjashtimi nga detyra e ekspertit, paralajmëron për detyrimet e
përgjegjësitë e parashikuara nga ligji penal, i formulon kërkesat e ekspertimit
dhe e fton të bëjë këtë deklaratë: “I vetëdijshëm për përgjegjësinë morale dhe
juridike për detyrën që marr përsipër, do ta kryej atë me ndershmëri e drejtësi
dhe do të ruaj sekretin për të gjitha veprimet që lidhen me ekspertimin”.
- Shpërblimi i ekspertit caktohet me urdhër të organit që ka disponuar për
ekspertimin.
Neni 184
Veprimet e ekspertit
- Për t’iu përgjigjur kërkesave të ekspertimit, eksperti mund të autorizohet
nga organi procedues që të shohë aktet, dokumentet dhe gjithçka që përfshihet
në fashikullin e prokurorit ose të gjykatës.
- Eksperti mund të autorizohet të marrë pjesë edhe në pyetjen e palëve dhe
marrjen e provave.
- Kur eksperti kërkon të dhëna nga i pandehuri, i dëmtuari ose nga persona
të tjerë, këto të dhëna përdoren vetëm për qëllimet e ekspertimit.
Neni 185
Akti i ekspertimit
- Mendimi i ekspertit jepet me shkrim.
- Kur ekspertët e caktuar janë më shumë se një dhe kanë mendime të ndryshme,
secili parashtron me akt të veçantë mendimin e tij.
- Kur faktet janë komplekse dhe eksperti nuk mund të japë përgjigje
menjëherë, organi procedues i jep atij një afat jo më të gjatë se gjashtëdhjetë
ditë. Kur ka nevoje për verifikime veçanërisht komplekse ky afat mund të zgjatet
edhe më shumë se një herë për periudha jo më të gjata se tridhjetë ditë, por pa
kaluar afatin maksimal prej gjashtë muajsh.
Neni 186
Zëvendësimi i ekspertit
- Eksperti mund të zëvendësohet kur nuk jep mendimin e vet në afatin e
caktuar ose kur kërkesa e zgjatjes nuk është pranuar ose kur neglizhon në
kryerjen e detyrës.
- Vendimi i organit procedues për zëvendësimin jepet pasi dëgjohet eksperti.
Eksperti i zëvendësuar mund të dënohet me gjobë deri dhjetë mijë lekë.
- Eksperti zëvendësohet edhe kur pranohet kërkesa për përjashtimin e tij.
- Eksperti i zëvendësuar detyrohet të dorëzojë në organin procedues
dokumentacionin dhe rezultatet e veprimeve të kryera.