KPC -WEB

L I G J

Nr.8116, datë 29.3.1996

KODI I PROCEDURES CIVILE I REPUBLIKES SE SHQIPERISE (i ndryshuar)

KREU VI

EKSPERTET

 Mënyra e caktimit

Neni 225

     Caktimi i ekspertit bëhet nga gjykata duke marrë edhe

mendimin e palëve e të pjesëmarrësve në gjykim. Vendimi për emërimin e

ekspertit i bëhet i ditur këtij prej sekretarit gjyqësor, duke

iu njoftuar edhe data për t’u paraqitur në seancën e caktuar.

     Eksperti që nuk pranon të kryejë këtë detyrë, duhet t’i

njoftojë gjykatës argumentet përkatëse të paktën pesë ditë

përpara seancës gjyqësore.

     Për rrethana të dala rishtazi palët kërkojnë menjëherë

përjashtimin e ekspertit, duke parashtruar argumentet përkatëse.

 Betimi

 Neni 226

     Gjykata përpara se eksperti të fillojë nga kryerja e

detyrës, i kujton atij rëndësinë e funksioneve për të cilat është thirrur

për t’i përmbushur dhe e fton të bëjë betimin se do të kryejë

mirë e me nder detyrat që i janë besuar, me të vetmin qëllim që t’ia

bëjë të ditur gjykatës të vërtetën.

Caktimi i detyrave

 Neni 227

     Gjykata, pasi merr edhe mendimin e palëve, i cakton

ekspertit çështjet për të cilat duhet të merret mendimi i tij.

     Eksperti ka të drejtë të njihet me materialet e çështjes,

të marrë pjesë në seancë gjyqësore, të bëjë pyetje, të japë

shpjegime dhe të kërkojë nga palët të marrë të dhëna nga të tretët brenda

kufijve të nevojshëm për kryerjen e detyrës.

     Eksperti mund të asistohet edhe nga ndihmës të tij, por

përgjegjësia për saktësinë e ekspertimit i mbetet atij.

     Kur sipas vendimit të gjykatës për kryerjen e ekspertimit

është e nevojshme që eksperti të njihet me sende, evidenca,

llogari e dokumente të tjera, palët mund të jenë të pranishme dhe mund

t’i paraqitin ekspertit me shkrim mendime, vërejtje të specialistëve

të tyre, të cilët mund të pyeten me cilësinë e dëshmitarit ose

kërkesa që lidhen me plotësimin e detyrës, por gjithnjë brenda

kompetencave të caktuara në vendimin e gjykatës.

              Kryerja dhe vlerësimi i ekspertimit

Neni 228

     Kur ekspertimi kryhet me praninë e gjykatës ose të gjyqtarit

të deleguar mbahet procesverbal, por gjykata mund t’i kërkojë

ekspertit që të japë përfundimet e ekspertimit në një raport me

shkrim.

     Kur ekspertimi kryhet pa pjesëmarrjen drejtpërdrejt të

gjykatës, eksperti duhet të hartojë një raport me shkrim mbi

ekspertizën e kryer, në të cilën duhet të gjejnë pasqyrim edhe

vërejtjet e kërkesat e palëve. Deklaratat eventuale të palëve të

përmendura në raport vlerësohen nga gjykata, duke pasur parasysh

rregullat e parashikuara në nenin 29 të këtij Kodi.

     Raporti duhet të depozitohet në sekretari në afatin e

caktuar nga gjykata.

                   Përsëritja e ekspertimit

Neni 229

     Kur shihet se ekspertimi është i metë ose i paqartë, si dhe

kur ka ndryshim mendimesh midis ekspertëve, gjykata, kryesisht

ose me kërkesën e ndonjërës nga palët, mund të kërkojë sqarime

plotësuese ose të urdhërojë kryerjen e një ekspertimi të ri, duke

thirrur ekspertë të tjerë.

            Pasqyrimi i përfundimeve të ekspertimit

Neni 230

     Mendimi i ekspertit duhet të jetë i arsyetuar.

     Kur ekspertët janë të një mendimi, përfundimet e ekspertimit

mund t’i parashtrojë njëri që caktohet prej tyre; kur ka ndryshim

mendimesh midis ekspertëve, secili prej tyre duhet të parashtrojë

vetë mendimin e tij. Pasi të kenë dhënë mendimin, ekspertëve mund t’u bëhen pyetje.