KODI I ETIKËS SE MJEKESISE LIGJORE
KREU I PARË
PARIME KRYESORE
Neni 1. Përcaktimi
Etika Mjekoligjore është teresia e principeve dhe normave etiko-morale dhe profesionale mbi bazën e të cilave ekspertët mjekoligjor ( patologë , toksikologë , psikiatër dhe biologë ) shprehin vullnetin e tyre dhe ndërgjegjësimin për respektimin e profesionit duke u karakterizuar nga humanizmi , objektiviteti dhe sjellja e kulturuar gjatë përmbushjes së detyrës .
Neni 2. Njohja e Kodit të Etikës
Ekspertët funksionalë ose të jashtëm , kur rregjistrohen në listën e ekspertëve ose caktohen si të tillë për të kryer një ekspertizë nga organi i drejtesisë , duhet të kenë njohuri të plota të Kodit të etikës dhe njekohësisht bën betimin me gojë ose me shkrim , duke u zotuar se do ta respektoje ate me përpikmeri .
Neni 3. Misioni i Ekspertit
Misioni i ekspertit i shërben qëllimeve dhe detyrave të Drejtësisë dhe gjithë veprimtarinë e tij e kryen ne bazë të ligjit .
Neni 4. Qëllimi i misionit
Eksperti mjekoligjor duhet të përqëndrojë misionin e tij në shërbim dhe në ndihmë të drejtësisë , të ofrojë ekspertizë mjeko-ligjore të njejtë për të gjithë , pa dallim moshe , seksi, rrace, kombësie, feje, përkatësie, pikëpamje politike, gjendje ekonomike, pozitë shoqerore etj , duke respektuar ne te njejten kohe te drejtat e njeriut dhe dinjitetin e ç’do individi
Neni 5. Respekti ndaj të vdekurit
Eksperti duhet të bëjë gjithshka që ka në dorë për të respektuar të vdekurin dhe me një sjellje etike të përshtatshme të ofrojë përkujdesje shpirtërore dhe profesionale ndaj trupit të të vdekurit dhe lehtësimin e dhimbjes të familjarëve .
Neni 6. Përdorimi i njohurive
Eksperti duhet të përdorë njohuritë dhe aftësitë e tij duke u bazuar në pavarësinë profesionale, lirinë e veprimit dhe përgjegjshmërinë personale .
KREU I DYTË
DETYRIMI PROFESIONAL
Neni 7. Reputacioni profesional dhe figura morale
Eksperti duke mbrojtur traditat më të vyera të profesionit të tij, duhet të praktikojë një standard të lartë profesional dhe të ruajë të pastër figurën e tij morale duke qëndruar larg aktiviteteve që ç’vlerësojnë personalitetin e tij .
Neni 8. Kompetenca profesionale
Eksperti në funksion të kryerjes së detyrës duhet të garantojë përkushtim, objektivitet dhe kompetencë profesionale brenda njohurive dhe aftësive tekniko – shkencore.
Neni 9 . Pavarësia profesionale
Eksperti me ç’do kusht duhet të ruajë pavarësinë e tij profesionale, të vendosë me objektivitet në bazë të ndërgjegjies së vet profesionale dhe morale, mbasi nuk duhet të jetë as ekspert i akuzës dhe as i mbrojtjes.
Neni 10. Kufizime të aktivitetit profesional
Eksperti në asnjë rast nuk duhet të abuzojë me kushtet që i krijon profesioni. Ai duhet të luftojë me vendosmëri ç’do rast abuziv dhe korruptues në kryerjen e detyrës dhe është i detyruar të denoncojë në organet kompetente ç’do veprim të shfaqjes së tyre.
Neni 11. Përjashtimi i ekspertit
Eksperti nuk duhet të jetë njëkohësisht edhe ekspert dhe mjek kurues për një person që i nënshtrohet ekspertimit. Nga ana tjetër, ai nuk duhet të pranojë të bëjë një ekspertim në raste lidhje gjinie ose miqësie ose ku është i interesuar për qëllime personale.
Neni 12. Rritja e aftësive profesionale
Për të rritur autoritetin profesional është detyrë e ekspertit që vazhdimisht të studiojë dhe të ndjekë zhvillimet e reja të profesionit të tij, në mënyrë që të rrisë nivelin e kryerjes së ekspertizës në shkollën më të lartë.
Neni 13. Proçedurat teknike të ekspertimit
Eksperti duhet të respektojë rregullat proçeduriale teknike gjatë ekspertimit në pajtim me standartet e pavuara të shkencës mjekoligjore bashkëkohore dhe të K.Pr. Penale. Ai duhet të jetë sa më racional në shpenzimet ekonomike gjatë aplikimit të metodave laboratorike, të cilat duhet të jenë të sigurta dhe të vërtetuara shkencërisht.
Neni 14. Dokumentimi i ekspertimit
Të gjitha veprimet dhe analizat mjekoligjore që kryen eksperti ndaj personave, të kufomave, provave materiale apo dokumentave të çështjes, brenda afateve kohore të përcaktuara, dokumentohen në rregjistra, akte mjekoligjore etj.
Ç’do abuzim, mashtrim ose fallcifikim i tyre është i dënueshëm me ligj.
Neni 15. Ruajtja e sekretit profesional
Të dhënat që eksperti mëson gjatë kryerjes së detyrës konsiderohen si sekret pro- fesional. Atij nuk i lejohet të publikojë ekspertizën e tij, as të pranojë intervista apo konferenca shtypi. Eksperti duhet të kujdeset që personeli ndihmës (laborantë, teknike etj) me të cilët ai kryen një ekspertim, të kenë të njëjta detyrime lidhur me ruajtjen dhe respektimin e sekretit profesional. Në të njëjtën mënyrë duhet të ruhen e sigurohen aktet mjekoligjore provat materiale dhe dokumentat e tjera që lidhen me ekspertimet.
KREU I TRETË
MARRËDHËNIET MIDIS EKSPERTËVE DHE NDAJ INSTITUCIONEVE
Neni 16. Marrëdheniet me kolegët dhe personelin
Gjatë punës së tij, eksperti duhet të bëjë kujdes për të ruajtur emrin e mirë të profesionit të tij dhe të ketë marrëdhënie korrekte me kolegët dhe personelin ndih- mës.
Neni 17.Solidariteti mes kolegëve
Në qoftë se një eksperti i kërkohet një këshillë ose ndihmë profesionale nga një koleg, ai duhet të jetë i gatshëm t’ia japë ato me sinqeritet dhe në përputhje me njohu- ritë më të mira. Ai duhet të jetë solidar me kolegë që iu nënshtrohen akuzave të padrejta.
Neni 18. Gabimet e bashkëpuntorëve
Eksperti është i detyruar të verë në dukje gabimet që mund të bëhen nga bashkë- punëtorët ose personeli tjetër ndihmës, duke i trajtuar ato me takt, pa cënuar dinjitetin e asnjërit.
Neni 19. Bashkëpunimi profesional
Ekspertët nga pikëpamja morale dhe profesionale duhet të bashkëpunojnë në ekip me njëri-tjetrin dhe përgjegjësia e secilit është personale. Kur gjatë një ekspertize ka mendime të kundërta, secili ka të drejtë të parashtrojë konkluzione të veçanta me gojë ose me shkrim.
Neni 20. Respekti ndaj institucioneve
Eksperti duhet të kujdeset në ruajtjen e raporteve korrekte dhe bashkëpunuese me kolegët e institucioneve të tjera (Gjykatë, Prokurori, Polici, Shëndetësi etj).
Marrëdhëniet midis tyre duhet të bazohen në principet e respektit dhe besimit reci- prok.
KREU I KATËRT
KUSHTET E USHTRIMIT TË PROFESIONIT
Neni 21. Sigurimi i mjedisit të punës
Për të ushtruar veprimtarinë e tij, eksperti duhet të ketë një mjedis të përshtatshëm dhe mjetet e nevojshme teknike.
Eksperti nuk duhet të ushtrojë profesionin e tij në kushte që mund të cënojnë cilësi- në e ekspertimit.
Neni 22. Mos shfrytëzimi i funksioneve administrative
Eksperti që kryen funksione të larta administrative ose është i zgjedhur në detyrë të rëndësishme publike, e ka të ndaluar të kryej detyrën e ekspertit. Eksperti funksional shtetëror i ndalohet të kryej njëkohësisht ekspertime në një kabinet privat.
Neni 23. Kontrata e punës
Ushtrimi i funksionit të veprimtarisë ekspertuese në ç’do formë bëhet me kontratë me shkrim, ku përcaktohen detyrimet përkatëse të palëve në përputhje me Kodin e Punës.
KREU I PESTË
DISPOZITA PËRFUNDIMTARE
Neni 24. Respektimi i Kodit
Është detyrë e të gjithë ekspertëve të rregjistruar në listën e ekspertëve ose që caktohen si të tillë nga organet e drejtësisë, të respektojnë nyjet e këtij Kodi.
Neni 25. Masat disiplinore
Mosnjohja e këtij Kodi nuk e përjashton ekspertin nga përgjegjësia që vjen nga moszbatimi i detyrave etike e deontologjike të përshkruara në këtë Kod.
Masat disiplinore përcaktohen sipas Rregullores, urdhëresave dhe ligjeve në fuqi.
Neni 26. Hyrja në fuqi
Ky Kod hyn në fuqi menjëherë.
MINISTER I DREJTËSISË
SPIRO PEÇI